Mjedisi është shtëpia e çdonjërit prej nesh

    Mjedisi është shtëpia e çdonjërit prej nesh, ndaj mjedisi kërkon përkujdesjen e gjithsecilit nga ne!
    Me këtë slogan Rrjeti i Qendrave për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” beson se edukimi është mënyra më e mirë për të sjellë një ndryshim të qëndrueshëm, ndaj çdo vit zhvillon një sërë inisiativash e aktivitetesh në mbarë komunitetin për çështjet mjedisore, si dhe realizon ndërhyrje konkrete për përmirësimin e kësaj situate në disa zona të qytetit.

    Kjo fushatë është gjithëpërfshirëse përsa i përket target-grupeve të përfshira,si dhe impaktit. Fushatat mjedisore kanë edhe një tjetër specifikë, të cilën Rrjeti “Sot për të Ardhmen” me shumë përkushtim e çon përpara: Çdo kush mund të jetë personalisht dëshmitar i ndryshimeve mjedisore, e kjo është mënyra më  e mirë e ndërgjegjësimittë vetë qytetarëve, të cilët mund të provojnë sesi një kontribut modest mund të sjellë një ndryshim të madh.


    ACHIEVE 2017

    Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”, në bashkëpunim me shkollën “E Re” ndërmorrën një fushatë pastrimi në zonën e ish-Kënetës me angazhimin e të rinjve, fëmijëve, mësuesve dhe anëtarëve të komunitetit. Kujdesi dhe dashuria për mjedisin fillon nëse e kultivojmë atë në moshë të hershme. Të rinjtë dhe fëmijët kanë punuar gjatë këtij muaji për prodhimin e posterave dhe materialeve të ndërgjegjësimit, të cilat u shpërndanë në komunitet gjatë aktivitetit. Ata pastruan ambientet rreth shkollës dhe disa hapësira në komunitet. Mbetjet u grumbulluan në vende për të cilat në bashkëpunim me shkollën u njoftua Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale për evadimin.