Shprehja e emocioneve përmes artit si një proces ndihmues në zgjidhjen e konflikteve, barrierave dhe përmirësimit të mirëqenies psiko-sociale të fëmijëve në konflikt/ kontakt me ligjin dhe atyre në risk
3 Dhjetor 2021, Pukë
Kur e dizenjuam këtë ndërhyrje, e dinim që edukimi ndërgjegjësues- edukues joformal nëpërmjet terapisë së artit do të transformonte çdo formë tensioni, konflikti dhe lodhjeje, në energji dhe pozitivitet për fëmijët, të rinjtë në konflikt/ kontakt me ligjin, atyre në risk apo edhe viktimave të trafikimit.
Konsorciumi i organizatave Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” & Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” realizuan këto aktivitete rekreative që kanë si qëllim të kontribuojnë në edukimin e të miturve dhe sidomos të atyre në konflikt me ligjin, për të vepruar dhe jetuar në përputhje me vlerat, normat dhe ligjet në fuqi, me qëllim sigurimin që brezi i ri të jetë pjesë aktive dhe model qytetar i një shoqërie shqiptare të civilizuar.
Rreth 60 të rinj të moshës 10- 17 vjeç përkatësisht të shkollës 9- vjeçare “Migjeni” dhe gjimnazit ”Sabah Sinani” Pukë, kanë qenë pjesë dhe janë angazhuar në aktivitete rekreative në formën e Terapisë së Artit me tematikën “Drejtësia miqësore për të mitur me fokus Artin”. Kjo formë e artit është një mënyrë ekspresive që përdor procesin krijues të artit për të përmirësuar mirëqenien fizike dhe psikologjike të të miturve që janë në konflikt me ligjin, atyre në risk apo edhe atyre në situatë vulnerabiliteti. Shprehja e emocioneve të veta përmes artit i ndihmon këta të rinj/ fëmijë në zgjidhjen e problemeve, konflikteve nga e kaluara apo e tashmja dhe ndihmon në përmirësimin e vetë-njohjes, vetëvlerësimit, kontrollit emocional, zvogëlimin e stresit dhe ankthit, përmirësimin e vetëdijes, vëmendjes ose krijimtarisë.
Vetë të rinjtë janë shprehur të motivuar se: “Do të mbrojnë të drejtat e tyre, të bashkëmoshatarëve duke u bërë zëri i komunitetit të tyre dhe duke u angazhuar për të bashkëpunuar me prindër e familjarë, institucione, shkolla, fëmijë që janë në konflikt dhe kontakt me ligjin për fuqizimin e këtyre të fundit”.