THIRRJE PËR MENTOR INTEGRIMI

    INFORMACION I PËRGJITHSHËM
    Konsorciumi i përbërë nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” janë duke zbatuar projektin “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin” në rrethet Shkodër dhe Pukë gjatë periudhës Tetor 2021 – Korrik 2022.

    Projekti është ndërmarrë si pjesë e Programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” – nismë e rëndësishme e zbatuar nga një sërë organizatash ndërkombëtare dhe vendore, të drejtuara nga UNICEF Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

    Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” është një organizatë joqeveritare që ka si mision të kontribuojë në demokratizimin e shoqërisë shqiptare përmes promovimit dhe zbatimit të formave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Fushat kryesore të aktivitetit të Fondacionit janë trajtim dhe menaxhim konfliktesh dhe mosmarrëveshjeve të fushës civile, familjare dhe penale, veçanërisht të fokusuar në drejtësinë restauruese për të miturit; ekspertizë në përmirësimet e bazës ligjore për ndërmjetësimin; trajnime në fushën e kualifikimit të ndërmjetësve, por dhe për aktorë të tjerë; publikime dhe ndërgjegjësim në fushën e negocimit, ndërmjetësimit, lehtësimit; edukim për zgjidhje konfliktesh në grupmoshat shkollore përmes dialogut restaurues dhe transformimit të konflikteve.

    Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” është rrjet lider në Shqipëri për mobilizim dhe fuqizim të komuniteteve në nevojë. Udhëhequr nga vizioni dhe duke përdorur metoda inovative dhe gjithëpërfshirëse, “Sot për të Ardhmen” ka krijuar përqasje të suksesshme të fuqizimit gjinor; vullnetarizmit; aktivizmit; mbrojtjes së mjedisit; ndërmjetësimit për punësim; shërbimeve, përfshirjes dhe mobilizimit komunitar, në partneritet të ngushtë me qeverisjen qendrore dhe vendore, agjensitë kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat. “Sot për të Ardhmen” ka shtrirje kombëtare me programet e tij si dhe tre qendra të rëndësishme në Tiranë, Durrës dhe Pukë. Vizioni i QZHK “Sot për të Ardhmen” është të punojmë sot për një të ardhme më të mirë.

    INFORMACION SPECIFIK PËR PROJEKTIN

    Përmes kësaj ndërhyrjeje, organizatat partnere synojnë rritjen e kapaciteteve të grupeve ndërsektoriale të profesionistëve lokalë dhe mbështetjen e tyre në zbatimin e qasjes ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin, duke përfshirë dhe rastet e fëmijëve në rrezik trafikimi. Gjithashtu, përmes projektit do të ofrohen shërbime të integruara në varësi të planit individual të ri-integrimit dhe rehabilitimit, si p.sh., mbështetje psiko-sociale dhe juridike para dhe gjatë procesit penal, shërbime ndërmjetësimi, mentorim gjatë zbatimit të masës/dënimeve alternative, praktika pune, etj.

    Një komponent tjetër i projektit është dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i qasjeve të reja në Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit, prindërimin pozitiv, parë në këndvështrimin e barazisë gjinore, programe të zgjidhjes së konflikteve në shkolla, etj.

    Në kuadër të këtij projekti organizatat partnere, kërkojnë të angazhojnë dy mentorë integrimi, me vendndodhje respektivisht në Bashkitë Shkodër dhe Pukë.