Monitorimi i situatës shëndetësore të fëmijëve 0 – 6 vjec në Bashkinë Durrës
Qendra për Zhvillim Komunitar ”Sot për të Ardhmen” ka nisur zbatimin e projektit “Monitorimi i situatës shëndetësore të fëmijëve 0 – 6 vjec në Bashkinë Durrës, projekt i skemës së Granteve nga Lëviz Albania i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe që zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave të suksseshme shqiptare; “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Partnerët e Shqipërisë për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan”, në kuadër të thirrjes për forcimin e demokracisë vendore nëpërmjet kultivimit të një shoqërie civile vendore me bazë në komunitet, që ka ndikim dhe nxit kërkesën për qeverisje të mirë.
Ekspertët ndërkombëtare, kombëtarë, lokalë të mirërritjes së fëmijëve theksojnë faktin që investimet në moshën fëminore janë investime më kosto – efektive se investimet e bëra në cdo fazë tjetër të ciklit të jetës, pasi rezulton se këto investime janë më të zgjuara dhe më të qëndrueshme.
Ndaj, në nivel kombëtar dhe lokal, i gjithë fokusi i politikave shëndetësore dhe joshëndetësore duhet të përqendrohet në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve,vecanërisht në periudhën e fëmijërisë së hershme.
Ky projekt ka për qëllim:
– të përmirësojë situatën shëndetësore të fëmijëve 0-6 vjec në Bashkinë Durrës.
– të monitorojë punën e stafeve të Bashkisë në përmirësimin e determinantëve socialë që ndikojnë në shëndetin e fëmijëve 0-6 vjec.
– të monitorojë vendimet e këshilltarëve bashkiak në vitet 2017-2018 të marra në favor të shëndetit të fëmijëve 0-6 vjec.
– të monitorojë buxhetin e alokuar për shëndetin e fëmijëve në zonat urbane Qyteti Durrës dhe zonën rurale Njësia Administrative Sukth.
Nga ky Projekt do te përfitojnë drejtëpërdrejtë 9687 fëmijë 0-6 vjeç në Bashkinë Durrës dhe 1638 fëmijë 0-6 vjeç në njësinë administrative Sukth.
Duke qënë se në shëndetin e fëmijëve luajnë një rol të veçante jo vetëm cilësia e shërbimit shëndetësor, por gjithashtu edhe determinantët socialë, gjatë zbatimit të Projektit do të monitorohet situata shëndetësore e fëmijëve 0-6 vjec në Bashkinë e Durrësit, duke patur në fokus punën e bërë nga institucionet shëndetësore por edhe nga institucionet joshëndetësore,vecanërisht nga Qeverisja Lokale.
Projekti do të zbatohet përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë Durrës.