Debati i Seulit “Mësimet e nxjerra për trajtimin e dhunës me bazë gjinore nga Koreja dhe bota”
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP)si dhe Qendra e Politikave në Seul, në partneritet me Ministrinë e Punëve të Jashtme, zhvilluan Debatin e Seulit 2017, me qëllim identifikimin e mënyrave efektive për adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore duke ndarë mësimet e nxjerra nga Koreja dhe bota. Dhuna është adresuar në mënyrë specifike në Axhendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm të miratuar në vitin 2015 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Mbi 100 pjesëmarrës u mblodhën në Debatet e këtij viti të Seulit, një e treta e të cilëve ishin përfaqësues të lartë qeveritarë, UNDP-së si dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të Azisë, Afrikës, Amerikës, Evropës Lindore etj. Përveç kësaj, në diskutimet morën pjesë ekspertë nga organizata të OKB-së, si UNICEF, UN Women dhe UNFPA. Rrjeti “Sot për të Ardhmen” ishte pjesë e këtij debati duke ndarë ekspertizën e tij të gjatë në adresimin dhe parandalimin e DHBGJ-së dhe mbështetjen e viktimave të dhunës.