Për çdo fëmijë, shpresë!
Ela është një talent në muzikën folkloristike, por për të ndjekur ëndërrën e saj për t’u bërë një artiste, asaj i duhet të bëjë 16 kilometra nga shtëpia e saj për në Qendrën e Zhvillimit Komunitar “Sot për të Ardhmen” – Pukë. Një udhëtim i përjavshëm e aspak i lehtë sidomos kur temperaturat shënojnë 15 gradë nën zero. Një familje në skajet e fundit të mbijetesës por që nuk heziton të mbështesë plotësisht arsimimin dhe ëndrrat e fëmijëve. Rrjeti i Qendrave për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” ofron një shumëllojshmëri shërbimesh që synojnë fuqizimin e komuniteteve në nevojë. Shërbimet e komunitetit për integrimin dhe ri-integrimin e fëmijëve, programe arsimore për prindërit që të përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet pjestarëve të familjes, të nxisin dialogun ndërmjet brezave etj, janë tanimë motor që vë në lëvizje shumë familje, dhe që mban gjallë shpresën. Po, me shumë punë, përkushtim e dashuri, për çdo fëmijë e familje, ka shpresë!