Vlerësimi i situatës së papunësisë gjinore në zonën migratore të Ish-Kënetës Durrës
Gjatë viteve të fundit Shqipëria është përballur me krizë ekonomike dhe politike që kanë dëmtuar cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. Papunësia afatgjatë dhe si pasojë e moskualifikimit është më tepër karakteristikë e grave punëkërkuese ndërsa papunësia e personave të kualikuar dhe me diplomë vihet re si një tendencë alarmuese te të rinjtë e dy gjinive. Studimet ekzistuese e trajtojnë problemin e papunësisë dhe të kualifikimit të forcës së punës vetëm në nivel kombëtar dhe rajonal dhe ofrojnë opsione zgjidhjeje dhe trajtimi nga lart-poshtë.
Në kuadër të reformës territoriale, e cila ofron shanse për zhvillimin lokal si dhe parashikon dhe konsolidimin administrativ për të ofruar një gamë më të madhe shërbimesh me cilësi më të lartë, së shpejti del studimi dhe dokumentari mbi situatën e papunësisë gjinore në zonën migratore Ish-Kënetë Durrës, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur për Shqipërinë – Soros.
Studimi dhe dokumentari do të japin të dhëna statistikore dhe cilësore mbi papunësinë e grave dhe të rejave në zonën e Ish-Kënetës, me një popullsi prej rreth 60.000 banorësh. Këto të dhëna do të ndihmojnë qeverisjen vendore dhe institucionet publike dhe shtetërore në Durrës për marrjen e masave në lidhje me zhvillimin e punësimit, oportuniteteve për trajnim, kualifikim, dhe për planifikim të saktë dhe të përshtatshëm mbi ofrimin, informimin, aksesimin dhe përdorimin e shërbimeve publike.