Fjongo kundër Dhunës me Bazë Gjinore
Në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, dhe si pjesë aktive e Rrjetit të Reagimit të Koordinuar kundër Dhunës në Familje në qytetin e Tiranës dhe Durrësit, Rrjeti i Qendrave për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë e kombëtarë, vendosi fjongon-simbol kundër dhunës me bazë gjinore në ambientet e jashtme të institucioneve shtetërore, si aktorët kryesorë të RrRKDH në parandalimin dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Në fjongon – simbol shkruhej mesazhi i lançuar nga Agjencia UN dhe Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë: Djemtë dhe burrat, pjesë e zgjidhjes – Tregoni se jeni kundër dhunës!” Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bashkia Tiranë, Bashkia Durrës, Bashkia Lezhë, Prefektura Durrës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ajo e Rrethit Gjyqësor Durrës, Gjykata e Lartë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Policisë së Tiranës, Drejtoria e Policisë së Durrësit dhe Zyra e Përmbarimit Tiranë u bënë pjesë e kësaj nisme duke treguar rolin dhe vendosmërinë e tyre në luftën e përbashkët kundër dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen e viktimave të dhunës në familje.