Institucionet e drejtësisë, zbatimit të ligjit dhe ato shërbimofruese bëhen bashkë për trajtimin e rasteve të fëmijëve në konflikt a kontakt me ligjin
Në këto dy
qytete, u organizuan Tryezat Vendore të Bashkëpunimit Ndër-Institucional për
Drejtësinë për të Mitur, të cilat shërbyen
dhe si takime prezantuese të ndërhyrjes së re në Shkodër dhe në Pukë: “Forcimi i
qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe
kontakt me ligjin”, që zbatohet në partneritet nga UNICEF Shqipëri, Fondacioni
“Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim
Komunitar “Sot për të Ardhmen”. Kjo ndërhyrje është pjesë e programit “Transformimi
i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore”, të drejtuar nga
UNICEF, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Nën kujdesin e bashkive përkatëse, të organizatave partnere dhe UNICEF Shqipëri, u bënë bashkë përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, si dhe atyre që ofrojnë shërbime ndaj fëmijës dhe familjes në nivel vendor, përkatësisht: drejtues dhe profesionistë të Bashkisë Shkodër dhe Bashkisë Pukë, UNICEF Shqipëri, Prefekturës, Gjykatës, Prokurorisë, Shërbimit të Provës, Policisë, Zyrës Arsimore, Zyrës së Punës dhe Formimit Profesional, Shërbimit Social Shtetëror, Drejtorisë të Shëndetit Publik, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjatë takimeve u paraqiten objektivat, përfituesit dhe metodologjia e ndërhyrjes, si dhe u diskutuan në grupe praktikat dhe sfidat ndërinstitucionale mbi zbatimin e kuadrit ligjor të drejtësisë miqësore ndaj fëmijës në nivel vendor.
Drejtuesit e institucioneve dhe
pjesëmarrësit shprehën nevojën për ndërhyrje të tilla, për të mbështetur të
miturit, në konflikt dhe kontakt me ligjin. Gjithashtu u theksuan dhe
problematikat ekzistuese në lidhje me përfshirjen e të miturve në vepra penale,
si dhe nevojën për një përdorim më të gjerë të qasjeve restauruese për fëmijët,
më qëllim integrimin, rehabilitimin dhe risocializimin e tyre.
Vullneti për të koordinuar më mirë veprimtarinë dhe bashkëvepruar për zgjidhjen e rasteve të fëmijëve autorë, viktima a dëshmitarë të veprave penale, për mbrojtjen e tyre nga krimi u shpreh nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore. U dakordësua dhe arritja e një marrëveshjeje institucionale për Drejtësinë për të Miturit, nën koordinimin e bashkive përkatëse.
Kryetari i Gjykatës Shkodër, Z.Arbër Çela, theksoi: “Ne duhet të synojmë të merremi me psikikën e të miturit, duhet të merremi me problematikën e çështjes. Krimi goditet, duke goditur fenomenin. Nëse ne përplasemi me fenomenin, ne kemi goditur terrenin kriminal. Këto objektiva që themi mund t’i arrijmë, duke bashkëpunuar të gjithë institucionet së bashku, gjatë gjithë kohës”.
Ndërkohë
që Kryetari i Bashkisë Pukë, Z. Gjon Gjonaj, ndër të tjera u shpreh: “Për arsye të problemeve familjare dhe
ekonomike të familjeve shqiptare është i domosdoshëm ky projekt, pasi janë
rritur kontingjentet e krimeve në moshat
e reja. Kjo marrëveshje i shërben komunitetit nëse karakterizohet me punë
konkrete. Nëse organet kompetente janë të gatshme dhe mirëdashëse ndaj
projektit, ky projekt do realizohet. Projekti është pozitiv për faktin se
mbrohen interesat e të rinjve, nuk marrin precedent penal në të shkuarën e tyre
dhe ruhet privatësia e palëve të përfshira”.
Ndërhyrja u mirëprit dhe nga nxënës të gjimnazit “Sabah Sinani”, në Pukë, të cilët morën pjesë në takim. Presidentja e Senatit të kësaj shkollë, Amanda Aliaj, u shpeh:
“…Ju them nga zemra që ne do të ndërmarrim hapa konkrete për këshillimin e bashkëmoshatarëve tanë. Të mundemi të japim kontributin tonë për të zgjidhur problemet e tyre, të mund të parandalojmë sjelljet qe i çojnë shokët tanë në sjellje jo të mira dhe të konfliktohen me ligjin apo edhe të bëhen viktima të këtyre rrethanave”.
Përveç rritjes së kapaciteteve dhe mbështetjes së institucioneve dhe profesionistëve në nivel vendor përgjatë punës së tyre në menaxhimin e rasteve, ndërhyrja do të ketë në fokus edhe mbështetjen e fëmijëve në konflikt me ligjin dhe atyre viktima a dëshmitarë të veprave penale, përmes ofrimit të shërbimeve të ndryshme ndërdisiplinore të integruara. Po ashtu, kjo ndërhyrje synon ndërgjegjësimin komunitar për respektimin e të drejtave dhe përkrahjen e rehabilitimit dhe ri-integrimit të këtyre fëmijëve. Ajo është një kontribut në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dhe Strategjisë Kombëtare të Drejtësisë për të Mitur, si dhe Planit Kombëtar të Veprimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.