THIRRJE PËR PSIKOLOG

    Titulli i projektit: “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin”
    Zbatuar nga konsorciumi i organizatave: Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
    Pozicioni: Psikolog, Shkodër (me kontratë shërbimi) Psikolog, Pukë (me kontratë shërbimi)
    Zona e zbatimit të projektit: Shkodër, Pukë
    Periudha e ofrimit të shërbimit: Nëntor 2021 – Mars 2022


    INFORMACION I PËRGJITHSHËM

    Konsorciumi i përbërë nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” janë duke zbatuar projektin “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin” në rrethet Shkodër dhe Pukë gjatë periudhës Tetor 2021 – Mars 2022.

    Projekti është ndërmarrë si pjesë e Programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” – nismë e rëndësishme e zbatuar nga një sërë organizatash ndërkombëtare dhe vendore, të drejtuara nga UNICEF Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

    Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” është një organizatë joqeveritare që ka si mision të kontribuojë në demokratizimin e shoqërisë shqiptare përmes promovimit dhe zbatimit të formave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Fushat kryesore të aktivitetit të Fondacionitjanë trajtim dhe menaxhim konfliktesh dhe mosmarrëveshjeve të fushës civile, familjare dhe penale, veçanërisht të fokusuar në drejtësinë restauruese për të miturit; ekspertizë në përmirësimet e bazës ligjore për ndërmjetësimin; trajnime në fushën e kualifikimit të ndërmjetësve, por dhe për aktorë të tjerë; publikime dhe ndërgjegjësim në fushën e negocimit, ndërmjetësimit, lehtësimit; edukim për zgjidhje konfliktesh në grupmoshat shkollore përmes dialogut restaurues dhe transformimit të konflikteve.

    Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” është rrjet lider në Shqipëri për mobilizim dhe fuqizim të komuniteteve në nevojë.Udhëhequr nga vizioni dhe duke përdorur metoda inovative dhe gjithëpërfshirëse, “Sot për të Ardhmen” ka krijuar përqasje të suksesshme të fuqizimit gjinor; vullnetarizmit; aktivizmit; mbrojtjes së mjedisit; ndërmjetësimit për punësim; shërbimeve, përfshirjes dhe mobilizimit komunitar, në partneritet të ngushtë me qeverisjen qendrore dhe vendore, agjensitë kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat. “Sot për të Ardhmen” ka shtrirje kombëtare me programet e tij si dhe tre qendra të rëndësishme në Tiranë, Durrës dhe Pukë. Vizioni i QZHK “Sot për të Ardhmen” është të punojmë sot për një të ardhme më të mirë.

    INFORMACION SPECIFIK PËR PROJEKTIN

    Përmes kësaj ndërhyrjeje, organizatat partnere synojnë rritjen e kapaciteteve të grupeve ndërsektoriale të profesionistëve lokalë dhe mbështetjen e tyre në zbatimin e qasjes ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin, duke përfshirë dhe rastet e fëmijëve në rrezik trafikimi. Gjithashtu, përmes projektit do të ofrohen shërbime të integruara në varësi të planit individual të ri-integrimit dhe rehabilitimit, si p.sh., mbështetje psiko-sociale dhe juridike përgjatë procesit penal, shërbime ndërmjetësimi, mentorim gjatë zbatimit të masës/dënimeve alternative, praktika pune, etj.

    Një komponent tjetër i projektit është dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i qasjeve të reja në Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit, prindërimin pozitiv, parë në këndvështrimin e barazisë gjinore, programe të zgjidhjes së konflikteve në shkolla, etj.

    Në kuadër të këtij projekti organizatat partnere, kërkojnë të angazhojnë dy psikologë, me vendndodhje respektivisht në Bashkitë Shkodër dhe Pukë.

    KUALIFIKIMET E NEVOJSHME

    Kandidati/ja duhet të përmbushë këto kritere:

    • Të këtë mbaruar studimet “Bachelor” në degën Psikologji, preferohet të ketë përfunduar dhe studimet Master.
    • Të jetë anëtar i Urdhrit të Psikologut dhe të jetë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit të lëshuar nga ky organizëm;
    • Të ketë të paktën 4 vjet punë dhe eksperience në dhënien e shërbimeve psikologjike;
    • Të mos jetë akuzuar apo dënuar më parë për vepra penale;
    • Të ketë eksperiencë pune me fëmijët, familjet, të rinjtë që kanë probleme dhe konflikte me ligjin, si dhe në kontakt me ligjin;
    • Të ketë njohuri të mira në lidhje me drejtësinë miqësore për fëmijët/drejtësinë restauruese, dhe mundësisht të ketë patur eksperiencë në këshillim dhe trajtim të të miturve në konflikt me ligjin;
    • Të jetë i/e motivuar në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara.

    DETYRAT E POZICIONIT TË KËRKUAR

    Psikologu/ja do të angazhohet për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive si më poshtë:

    • Ofron informim, këshillim dhe terapi për fëmijët të cilët janë në konflikt/ kontakt me ligjin;
    • Bën në vazhdimësi vlerësimin psikologjik për fëmijët / të rinjtë në konflikt/ kontakt me ligjin;
    • Asiston të miturin gjatë gjithë procedimit penal Asiston në menaxhimin e rasteve përmes ofrimit të shërbimeve të integruara për fëmijët në konflikt/kontakt me ligjin;
    • Organizon takime ndjekjeje/ telefonata me prindërit për prindërimin pozitiv/ disiplinimin pozitiv nën lentet e barazisë gjinore;
    • Mbështet identifikimin, vlerësimin e nevojave, zhvillimin e Planeve Ndërhyrëse Individuale;
    • Harton dhe ndjek planin e integrimit dhe riintegrimit të rastit të të miturit në konflikt/kontakt me ligjin;
    • Bashkëpunon me punonjës socialë, psikologë apo staf të institucioneve ndër sektoriale duke lehtësuar procesin dhe shmangur mbivendosjen e përgjegjësive;
    • Koordinohet me psikologët e institucioneve për të ofruar sipas rastit përgatitjen e vlerësimit psikologjik, apo mbështetur psikologjikisht të miturin si dhe ofruar këshillim terapeutik sipas vendimeve të organeve kompetente;
    • Dokumenton dhe raporton te koordinatori lokal për çdo rast të ndjekur, si dhe për ecurinë e punës;
    • Respekton Kodin Etik të Psikologut dhe Standartet & Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Rinjve.

    DOKUMENTACIONI I KËRKUAR

    • Letër motivimi ku të qartësohet rrethi për të cilin aplikoni;
    • CV e detajuar;
    • Kopje të Diplomës të studimeve Bachelor dhe Master, ose ekuivalente me to;
    • Kopje të Licencës së Psikologut;
    • Dëshmi Penaliteti (në rast punësimi do të kërkohet dëshmia e penalitetit).

    Të gjithë personat që punojnë me programet e Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe Qendrës për Zhvillim Komunitar “Sot për Ardhmen” janë të detyruar të respektojnë respektivisht Politikat e Mbrojtjes së Fëmijëve, Politikat kundër Shfrytëzimit dhe Abuzimit Seksual, Kodit të Sjelljes, si dhe çdo dokument tjetër të brendshëm të organizatave për të cilin duhet të kenë dijeni.

    MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT TË DOKUMENTAVE

    Afati për dorëzimin e aplikimeve është data  1 Nëntor 2021, ora 17:00. Dorëzimi i aplikimeve duhet të bëhet përmes email në adresën:

    mediation@afcr.al dhe cc në adresën info@cdc-tff.org.

    **Ju lutemi mbani në konsideratë se do të kontaktohen vetëm kandidatët e përzgjedhur.