Manifestimi Kundër Dhunës në Familje dhe Vrasjes së Grave
Në mbështetje të rasteve të dhunës në familje dhe për të protestuar ndaj vrasjes së Fildes Hafizi, u organizua Manifestimi Kundër Dhunës në Familje dhe Vrasjes së Grave, në sheshin Skënderbej. Nën iniciativën e një grupi organizatash të shoqërisë civile, u bashkuan aktivistë, qytetarë, studentë, të rinj e të reja, politikanë apo edhe funksionarë, të papunë, nëna, baballarë që ngrihen kundër veprimeve barbare të dhunës si shenjë solidarizimi dhe sensibilizimi, si një zë më i fuqishëm për t’i thënë Dhunës Stop dhe për të aspiruar e luftuar për një shoqëri të paqtë. “Sot për të Ardhmen” kërkon me këmbëngulje rritje të ndëshkueshmërisë ligjore ndaj dhunuesve-kriminelëve, duke e quajtur krim dhunën në familje. Zbatimi rigoroz i ligjeve, si dhe forcimi i instrumentave mbështetës në ndihmë të të mbijetuarave të dhunës, apo vazhdimi i ndërgjegjësimit të opinionit publik, ku e gjithë shoqëria të jetë e ndjeshme e të mbështesë fuqimisht të mbijetuarën e dhunës do jetë motoja e qëllimi i punës tonë.