THIRRJE PËR NDËRMJETËS PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT TË NDËRMJETËSIMIT DHE PRAKTIKAVE RESTAURUESE PËR TË MITURIT

    Titulli i projektit: “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin”
    Zbatuar nga konsorciumi i organizatave: Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
    Pozicioni: Ndërmjetës, lehtësues i  praktikave restauruese  (me kontratë shërbimi)
    Zona e zbatimit të projektit: Shkodër, Pukë
    Periudha e ofrimit të shërbimit: Nëntor 2021 – Mars 2022


    INFORMACION I PËRGJITHSHËM

    Konsorciumi i përbërë nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” janë duke zbatuar projektin “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin” në rrethet Shkodër dhe Pukë gjatë periudhës Tetor 2021 – Mars 2022.

    Projekti është ndërmarrë si pjesë e Programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” – nismë e rëndësishme e zbatuar nga një sërë organizatash ndërkombëtare dhe vendore, të drejtuara nga UNICEF Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

    Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” është një organizatë joqeveritare që ka si mision të kontribuojë në demokratizimin e shoqërisë shqiptare përmes promovimit dhe zbatimit të formave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Fushat kryesore të aktivitetit të Fondacionitjanë trajtim dhe menaxhim konfliktesh dhe mosmarrëveshjeve të fushës civile, familjare dhe penale, veçanërisht të fokusuar në drejtësinë restauruese për të miturit; ekspertizë në përmirësimet e bazës ligjore për ndërmjetësimin; trajnime në fushën e kualifikimit të ndërmjetësve, por dhe për aktorë të tjerë; publikime dhe ndërgjegjësim në fushën e negocimit, ndërmjetësimit, lehtësimit; edukim për zgjidhje konfliktesh në grupmoshat shkollore përmes dialogut restaurues dhe transformimit të konflikteve.

    Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” është rrjet lider në Shqipëri për mobilizim dhe fuqizim të komuniteteve në nevojë.Udhëhequr nga vizioni dhe duke përdorur metoda inovative dhe gjithëpërfshirëse, “Sot për të Ardhmen” ka krijuar përqasje të suksesshme të fuqizimit gjinor; vullnetarizmit; aktivizmit; mbrojtjes së mjedisit; ndërmjetësimit për punësim; shërbimeve, përfshirjes dhe mobilizimit komunitar, në partneritet të ngushtë me qeverisjen qendrore dhe vendore, agjensitë kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat. “Sot për të Ardhmen” ka shtrirje kombëtare me programet e tij si dhe tre qendra të rëndësishme në Tiranë, Durrës dhe Pukë. Vizioni i QZHK “Sot për të Ardhmen” është të punojmë sot për një të ardhme më të mirë.

    INFORMACION SPECIFIK PËR PROJEKTIN

    Përmes kësaj ndërhyrjeje, organizatat partnere synojnë rritjen e kapaciteteve të grupeve ndërsektoriale të profesionistëve lokalë dhe mbështetjen e tyre në zbatimin e qasjes ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin, duke përfshirë dhe rastet e fëmijëve në rrezik trafikimi.

    Gjithashtu, përmes projektit do të ofrohen shërbime të integruara, në varësi të planit individual të ri-integrimit dhe rehabilitimit, si p.sh., mbështetje psiko-sociale dhe juridike para dhe gjatë procesit penal, shërbime ndërmjetësimi, mentorim gjatë zbatimit të masës/dënimeve alternative, praktika pune, etj.

    Një komponent tjetër i projektit është dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i qasjeve të reja në Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit, prindërimin pozitiv, parë në këndvështrimin e barazisë gjinore, programe të zgjidhjes së konflikteve në shkolla, etj.

    Në kuadër të këtij projekti, organizatat partnere kërkojnë të angazhojnë ndërmjetës për të ofruar shërbimin e ndërmjetësimit dhe praktikave restauruese në rrethet Shkodër dhe Pukë për rastet e të miturve në konflikt dhe kontakt me ligjin të referuar nga institucionet vendore.

    KUALIFIKIMET E NEVOJSHME

    Kandidati/ja duhet të përmbushë këto kritere:

    • Të jetë pjesë e Regjistrit të Ndërmjetësve të Ministrisë së Drejtësisë.
    • Të ketë kryer trajnim të specializuar në Drejtësinë Restauruese dhe Ndërmjetësimin për të Miturit.
    • Të ketë jo më pak se 3 vite eksperiencë në ofrimin e ndërmjetësimit dhe praktikave restauruese për të miturit në kontakt me ligjin.
    • Të jetë i regjistruar në organet tatimore dhe të lëshojë faturë tatimore.

    DETYRAT E POZICIONIT TË KËRKUAR

    Ndërmjetësi/ja do të angazhohet për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive si më poshtë:

    • Të ofrojë shërbimin e ndërmjetësimit dhe praktikat restauruese në përputhje me Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit, miratuar me datë 31 mars 2017 dhe Ligjin nr.10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”;
    • Të bashkëpunojë me koordinatorin lokal (Shkodër, Pukë) dhe institucionet përkatëse në lidhje me identifikimin e rasteve të mundshme të të miturve për t’u trajtuar përmes praktikave të drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimit;
    • Të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me bazën ligjore për çdo rast të trajtuar;
    • Të informojë institucionin referues për rezultatin e procesit të ndërmjetësimit në zbatimin të legjislacionit përkatës;
    • Të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar në lidhje me rastet e menaxhuara brenda afateve të kërkuara;
    • Të lehtësojë monitorimin nga ana e stafit të organizatave të konsorciumit, donatorit, të rasteve të trajtuara, por duke respektuar parimin e vullnetarizmit të palëve dhe konfidencialitetin;
    • Të shprehë gatishmërinë për të marrë pjesë në programet trajnuese dhe ndërgjegjësuese që organizatat e konsorciumit do të organizojë në nivel lokal në kuadër të projektit;
    • Të zbatojë Kodin e Etikës për Ndërmjetësit.

    DOKUMENTACIONI I KËRKUAR

    • CV e detajuar;
      • Kopje të licencës së ndërmjetësit;
      • Kopje të NIPT-it;
      • Kopje të certifikatave të trajnimeve në fushën e drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimit për të miturit;
      • Vetëdeklarim që nuk jeni i dënuar ose ndëshkuar me masa disiplinore (në rast punësimi do të kërkohet dëshmi penaliteti).

    Të gjithë personat që punojnë me programet e Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe Qendrës për Zhvillim Komunitar “Sot për Ardhmen” janë të detyruar të respektojnë respektivisht Politikat e Mbrojtjes së Fëmijëve, Politikat kundër Shfrytëzimit dhe Abuzimit Seksual, Kodit të Sjelljes, si dhe çdo dokument tjetër të brendshëm të organizatave për të cilin duhet të kenë dijeni.

    MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT TË DOKUMENTEVE

    Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 3 Nëntor 2021, ora 17:00. Dorëzimi i aplikimeve duhet të bëhet përmes email në adresën:

    mediation@afcr.al dhe cc në adresën info@cdc-tff.org.

    **Ju lutemi mbani në konsideratë se do të kontaktohen vetëm kandidatët e përzgjedhur.