THIRRJE PËR JURIST PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT LIGJOR

    Titulli i projektit: “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin”
    Zbatuar nga konsorciumi i organizatave: Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
    Pozicioni: Jurist për ofrimin e shërbimit ligjor, Shkodër (me kontratë shërbimi) Jurist për ofrimin e shërbimit ligjor, Pukë (me kontratë shërbimi)
    Zona e zbatimit të projektit: Shkodër, Pukë
    Periudha e ofrimit të shërbimit: Nëntor 2021 – Mars 2022

    INFORMACION I PËRGJITHSHËM

    Konsorciumi i përbërë nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” janë duke zbatuar projektin “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin” në rrethet Shkodër dhe Pukë gjatë periudhës Tetor 2021 – Mars 2022.

    Projekti është ndërmarrë si pjesë e Programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” – nismë e rëndësishme e zbatuar nga një sërë organizatash ndërkombëtare dhe vendore, të drejtuara nga UNICEF Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

    Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve” është një organizatë joqeveritare që ka si mision të kontribuojë në demokratizimin e shoqërisë shqiptare përmes promovimit dhe zbatimit të formave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Fushat kryesore të aktivitetit të Fondacionitjanë trajtim dhe menaxhim konfliktesh dhe mosmarrëveshjeve të fushës civile, familjare dhe penale, veçanërisht të fokusuar në drejtësinë restauruese për të miturit; ekspertizë në përmirësimet e bazës ligjore për ndërmjetësimin; trajnime në fushën e kualifikimit të ndërmjetësve, por dhe për aktorë të tjerë; publikime dhe ndërgjegjësim në fushën e negocimit, ndërmjetësimit, lehtësimit; edukim për zgjidhje konfliktesh në grupmoshat shkollore përmes dialogut restaurues dhe transformimit të konflikteve.

    Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” është rrjet lider në Shqipëri për mobilizim dhe fuqizim të komuniteteve në nevojë.Udhëhequr nga vizioni dhe duke përdorur metoda inovative dhe gjithëpërfshirëse, “Sot për të Ardhmen” ka krijuar përqasje të suksesshme të fuqizimit gjinor; vullnetarizmit; aktivizmit; mbrojtjes së mjedisit; ndërmjetësimit për punësim; shërbimeve, përfshirjes dhe mobilizimit komunitar, në partneritet të ngushtë me qeverisjen qendrore dhe vendore, agjensitë kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat. “Sot për të Ardhmen” ka shtrirje kombëtare me programet e tij si dhe tre qendra të rëndësishme në Tiranë, Durrës dhe Pukë. Vizioni i QZHK “Sot për të Ardhmen” është të punojmë sot për një të ardhme më të mirë.

    INFORMACION SPECIFIK PËR PROJEKTIN

    Përmes kësaj ndërhyrjeje, organizatat partnere synojnë rritjen e kapaciteteve të grupeve ndërsektoriale të profesionistëve lokalë dhe mbështetjen e tyre në zbatimin e qasjes ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin, duke përfshirë dhe rastet e fëmijëve në rrezik trafikimi.

    Gjithashtu, përmes projektit do të ofrohen shërbime tëintegruara në varësi të planit individual të ri-integrimit dhe rehabilitimit, si p.sh., mbështetje psiko-sociale dhe juridike para dhe gjatë procesit penal, shërbime ndërmjetësimi, mentorim gjatë zbatimit të masës/dënimeve alternative, praktika pune, etj.

    Një komponent tjetër i projektit është dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i qasjeve të reja në Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit, prindërimin pozitiv, parë në këndvështrimin e barazisë gjinore, programe të zgjidhjes së konflikteve në shkolla, etj.

    Në kuadër të këtij projekti, organizatat partnere kërkojnë të angazhojnë dy juristë, me vendndodhje respektivisht në Bashkitë Shkodër dhe Pukë.

    KUALIFIKIMET E NEVOJSHME

    Kandidati/ja duhet të përmbushë këto kritere:

    • Të ketë mbaruar studimet Bachelor dhe/ose Master në shkencat juridike;
    • Të ketë më tepër se 3 vjet eksperiencë pune;
    • Të ketë njohuri/ eksperiencë/ trajnime në një ose disa nga fushat të tilla si drejtësia miqësore ndaj fëmijës, drejtësia penale për të mitur, apo drejtësia restauruese dhe/ose fusha të lidhura me to;
    • Përvojë në ofrimin e ndihmës ligjore parësore dhe dytësore për të miturit në konflikt dhe kontakt me ligjn;
    • Të jetë i miratuar nga Ministria e Drejtësisë për ofrimin e ndihmës juridike parësore dhe dytësore;
    • Të jetë i/e motivuar në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara;
    • Aftësi shumë të mira në dokumentim e menaxhimit të rastit;
    • Aftësi shumë të mira në komunikim dhe zgjidhje konfliktesh.

    DETYRAT E POZICIONIT TË KËRKUAR

    Juristi/ tja do të angazhohet për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive si më poshtë:

    • Të ofrojë ndihmë juridike para dhe gjatë procesit penal për fëmijët në konflikt dhe kontakt me ligjin, si dhe ata në risk trafikimi;
    • Të ofrojë informim praktik dhe këshilla të individualizuara në fushën e drejtësisë penale për të mitur;
    • Të realizojë vlerësimin e nevojave ligjore të të miturve duke i mundësuar lidhjen me shërbim-ofruesit e autorizuar të ndihmës ligjore për një shërbim më të specializuar;
    • Të bashkëpunojë me psikologun dhe stafin përgjegjës pranë Shërbimit të Provës, Policisë, Gjykatës për hartimin e planeve individuale të rasteve që do të trajtohen;
    • Të bashkërendojë punën me institucionet përgjegjëse lidhur me mbulimin e koordinuar të kostove të shërbimit ligjor;
    • Të bashshkërendojë punën me koordinatorin lokal, dhe GTN për identifikimin e nevojave të tjera në rastet e fëmijeve ku ka ofruar ndihmë juridike, p.sh., me qëllim ofrimin e shërbimeve të integruara;
    • Të dokumentojë dhe të raportojë te koordinatori lokal për ecurinë e punës çdo rast të ndjekur, si dhe për ecurinë e punës.

    DOKUMENTACIONI I KËRKUAR

    • Letër motivimi, ku të qartësohet rrethi për të cilin aplikoni;
    • CV e detajuar;
    • Kopje të Diplomës të studimeve Bachelor dhe/ ose Master;
    • Vetëdeklarim që nuk jeni i dënuar ose ndëshkuar me masa disiplinore (në rast punësimi do të kërkohet dëshmi penaliteti).

    Të gjithë personat që punojnë me programet e Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe Qendrës për Zhvillim Komunitar “Sot për Ardhmen” janë të detyruar të respektojnë respektivisht Politikat e Mbrojtjes së Fëmijëve, Politikat kundër Shfrytëzimit dhe Abuzimit Seksual, Kodit të Sjelljes, si dhe çdo dokument tjetër të brendshëm të organizatave për të cilin duhet të kenë dijeni.

    MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT TË DOKUMENTEVE

    Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 1 Nëntor 2021, ora 17:00. Dorëzimi i aplikimeve duhet të bëhet përmes email në adresën:

    mediation@afcr.al dhe cc në adresën info@cdc-tff.org.

    **Ju lutemi mbani në konsideratë se do të kontaktohen vetëm kandidatët e përzgjedhur.